Kalendari në vijim i Abissnet Superiores rezervon një provë force për Partizanin në katër javët e ardhshme. Të kuqtë do të luajnë dy derbi, ndaj Dinamos e Tiranës, sfidën e vështirë me Egnatian dhe duelin me Laçin, një skuadër që lufton për mbijetesë.
Skuadra e trajnerit Veselinoviç, në 4 javët e fundit në kampionat nuk ka shkëlqyer, teksa ka barazuar në shtëpi me Elbasanin dhe Skënderbeun dule lënë pikë të rëndësishme.
Por nga ana tjetër nuk ka lëshuar terren kur ka mposhtur Vllazninë në një takim të drejtpërdrejtë pretendentësh, e së fundmi mori tri pikë në transfertën e vështirë në Durrës. Pas largimit të 4 lojtarëve kryesorë të formacionit, gjatë merkatos së janarit, u ndje një rënie e nivelit të ekipit. E megjithatë Partizani ndodhet në krye të renditjes së Abissnet Superiores me 37 pikë, po aq sa Vllaznia dhe Dinamo.
Kampionati tashmë hyn në një fazë interesante, kur të kuqtë do të përballen menjëherë me Dinamon, një sfidë vendimtare për kreun, një provë force për të kuqtë e Veselinovicit që në rast fitoreje tregojnë se janë në rrugën e duhur. Më pas i pret transferta e vështirë në Laç, skuadër që lufton për mbijetesë dhe do të kërkojë pikë. Por këto dy skuadra do të sfidojnë njëra-tjetrën edhe në Kupën e Shqipërisë.
Java e 24-t sjell derbin tjetër, Partizani-Tirana. Pavarësisht diferencave në pikë dhe në renditje, derbi mbetet gjithnjë spektakolar dhe pa favoritë. Ndalesa e fundit është me Egnatian në transfertë. Një duel midis dy skuadrave pretendente për final four, ku të kuqtë duhet të tregojnë potencialisht forcën e tyre.
sfidanti.al