Partizani do të largohet nga kryeqyteti

Partizani ka vendosur ta zhvillojë fazën përgatitore në Ohër. “Panorama Sport” mëson se të kuqtë do të lënë Tiranën ditën e hënë. Partizani do të qëndrojë për 15 ditë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Gjatë kësaj kohe janë programuar edhe tri takime miqësore. Kjo nuk është hera e parë, që Partizani zhvendoset në Ohër. Te klubi i kuq kishin si opsion edhe fazën përgatitore në Tiranë. Kjo, për shkak të kushteve që ofron kompleksi i Partizanit. Zgjedhja e Ohrit u vendos përfundimisht në ditët e fundit. Pikërisht nga java e ardhshme do të mësohet dhe kundërshtari i turit të parë në Ligën e Konferencës. Partizani ndodhet në vazon e favoritëve, për këtë edhe lind si detyrim kalimi i turit të parë. Këtë herë do të jetë eksperiencë e veçantë, pasi Partizani do të jetë në vazon e favoritëve sërish edhe nëse kalon turin e parë. E sigurt është se Partizani do të peshkojë skuadra me më pak eksperiencë se ata në Europë, përgjatë viteve të fundit.

sfidanti.al