Partizani dhe Kupa Ballkanike, çifti i vetëm “ndëkombëtar” shqiptar!

Edhe këta që e veshin sot fanelën e kuqe do të donin t’ia dilnin. Në këtë kohë izolimi dhe epidemie, në pamundësi për të bërë asgjë tjetër, klubi i Partizanit po kujton historinë e tij, diçka për të cilën duhet të jetë krenar, dhe mes sukseseve veçohet njëri, Kupa Ballkanike e fituar në vitin 1970. Ishin vite të një konkurrence të ashpër në kampionatin shqiptar, ku po përfundonte dominimi i Tiranës së brezit të Fatmir Frashërit, Ali Memës e Skënder Halilit, sa për të përmendur disa emra, e të drejtuar nga trajneri emblematik Myslym Alla.

Partizani i drejtuar nga i famshmi Loro Boriçi kishte luajtur me dinjitet të madh në kupat e Europës, duke mundur Torinon në “Qemal Stafa” në 1968, e duke rrezikuar që ta eleminonte skuadrën e shquar të Serisë A, si dhe kishte eleminuar Atvidabergun e Suedisë në 1970-1971, që të dyja herët në Kupën e Kupave. Ishte pikërisht sezoni 1970-1971 që do të ishte një kurorëzim për të kuqtë e Loro Boriçit, pasi ata dolën edhe kampionë të Shqipërisë, ndërsa që në fillim, në gusht 1970, fituan Kupën Ballkanike.

Partizani kaloi me sukses ndeshjet e grupit, duke u ndeshur me Universitatean e Krajovës, përfaqësuese e Rumanisë, një nga ekipet më të mirë rumunë të asaj kohe, me lojtarë të tillë si Oblemenko, Deselniku, Martinoviç, Nikulesku apo Donose. Shqiptarët fituan të dyja ndeshjet nga 1-0, me gola të shëuar nga Janku. Në grup ishte edhe Slloboda e Tuzllës, skuadër boshnjake e ish-Jugosllavisë, me të cilën Partizani barazoi 1-1 jashtë fushe dhe u mund në Tiranë, me të dy golat e shënuar nga legjenda Panajot Pano.

Në finale, përballë shqiptarëve u vu Beroe e Stara Zagorës, ekipi bullgar i abonuar me Kupën Ballkanike. Në Bullgari, mori barazimin 1-1 me gol të shënuar nga Sabah Bizi, ndërsa në ndeshjen e kthimit Beroe nuk u paraqit, e kështu Partizani u shpall kampion i Ballkanit. Ishte brezi i Panos, Shllakut, Bizit, Jankut, Seferit, Kallucit, Muhedinit, Xhafës, Bajkos apo Berishës sa për të përmendur disa prej emrave. Do të duhej të kalonin shumë kohë, që në fund të viteve 70-të e fillim të viteve 80-të, Partizani të ishte sërish kampion e të sfidonte ekipet më të mirë të kontinentit në kupat e Europës.

Sfidanti.al