A do të jetë Marash Kumbulla, “Kielini i ri” i Interit dhe i Shqipërisë?!

Po hedh hapat e parë në karrierë, edhe pse duket i madh që tani. Marash Kumbulla, ylli më i ri i kombëtares shqiptare, ka tërhequr vëmendjen në Europë, dhe një reportazh ia kushton edhe platform e njohur që transmeton ndeshjet e futbollit me pagesë, DAZN. Mbrojtësi 20-vjeçar i Veronës vlerësohet si Xhorxho Kielini i ri i futbollit italian, dhe jo më kot shërbimet e tij janë duke i menduar klube nga më të rëndësishmit në Europë.

Komentet janë që shqiptari është shfaqur si protagonisti i ri i mbrojtjes, duke qenë i aftë jo vetëm për rolin e tij në prapavijë, por edhe duke ndihmuar sulmin. Interi i Milanos është më i interesuari për të, dhe trajneri Antonio Konte, është gati të paguajë klauzolën e kërkuar nga Verona, për të mos krijuar më shumë konkurrencë sesa është shfaqur deri tani. Edhe Lacio, po në Serinë A, mendon për 20-vjeçarin, ndërsa besohet se Reali i Madridit dhe Pep Guardiola i Mançester Sitit e kanë një mendim për shqiptarin.

Në Itali janë edhe Napoli e Fiorentina, ndërsa në Angli besohet se Çelsi nuk do të hezitonte të jepte 23 milionë euro për kartonin e tij. Kumbulla ka luajtur 19 ndeshje këtë sezon për Veronën, duke qenë në fushë për afërsisht 1 600 minuta, duke shënuar gol, fituar penallti, e duke ndihmuar skuadrën që të mbajë portën të paprekur në 7 ndeshje.

Sfidanti.al