Parisi po zbulon ç’do të thotë skuadër, fitore pa treshen MKN!

Dikur në vitet 1500, një mbret i ardhshëm i Francës, nxorri shprehjen e famshme, “Parisi e vlen një meshë”. Ishte Henriku IV, fituesi i luftës civile franceze, që e kuptonte shumë mirë realitetin, atë që nuk po arrin ta marrë vesh Nejmari. Ndoshta, fitorja 2-0 e Paris SG në fushën e Mecit (Metz), pa treshen Nejmar-Kavani-Mbape, do ta bëjë brazilianin të zgjohet dhe të ngulisë në kokë faktin se një skuadër (e mirë) vlen më shumë edhe sesa një superyll.

Me Nejmarin të padëshiruar për të luajtur, dhe me Mbapenë e Kavanin të dëmtuar, trajneri Tuhel “u nxorr nga balta” nga golat e shënuar prej Angel De Marisë dhe Çupo-Motingut, që të dy në pjesën e parë. Ishte një sukses i arritur relativisht lehtë, që tregoi se PSG-ja është ekip i fortë edhe pa yjet kryesorë. Në fushë ishin disa emra të njohur si Markinjos, Tiago Silva, Bernal, Verrati e Di Maria, por edhe më të panjohur si Dagba, Geje, Oshishe apo Sarabia. Jo vetëm kaq, por Tuhel la në stol portierin titullar Areolën, duke luajtur me një 19-vjeçar të quajtur Marsin Bulka.

Sfidanti.al