Mosha është aleati i De Ligtit, ja ku dëmtohet “i hekurti” Kielini!

“Rri e prit tek bregu i lumit, uji do ta sjellë armikun tënd”. Është një proverb i vjetër kinez që Matijs De Ligt me siguri që nuk e di, por që do ta kuptonte në këtë moment, nëse do t’ia thoshin. De Ligti po priste, jo tek bregu i lumit, por në stolin e rezervave, dhe koha ia solli rastin, dëmtimin e rivalit për pozicion, Xhorxho Kielini. Veterani italian do të mungojë 5-6 muaj, dhe kjo do të thotë “dritë jeshile” për holandezin e ardhur nga Ajaksi. Kielini 35-vjeçar do të operohet për ligamentin kryq të jashtëm, një dëmtim vërtet i rëndë, që ai e pësoi në stërvitje.

Trajneri Sarri tani do të detyrohet të ndryshojë planet, dhe të mbajë mbrojtësit që mendonte t’i largonte si Daniele Rugani dhe Merih Demiral. Për De Ligtin mund të thuhet se ka aleat moshën e re, pasi mbrojtësit e tjerë të Juves vërtet janë të fortë, por edhe të vjetër dhe dëmtimet kanë më shumë mundësi që t’u ndodhin atyre.

Sfidanti.al