André Onana mund të mbyllë aventurën e tij te Manchester United më shpejt nga sa pritej. Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, “Djajtë e Kuq” kanë arritur një marrëveshje verbale me Trabzonsporin për huazimin e portierit kamerunas.
Të dy klubet kanë rënë dakord për kushtet e marrëveshjes, por transferimi mbetet ende pezull. Gjithçka tani varet nga vendimi i Onana-s, i cili duhet të japë “po”-në përfundimtare për kalimin në Superligën turke.
Portieri, që u transferua në “Old Trafford” me pritshmëri të mëdha, nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e tij, duke u bërë shpesh objekt kritikash nga tifozët dhe analistët. Lëvizja drejt Trabzonsporit shihet si një mundësi për të rifituar besimin dhe për të rigjetur formën më të mirë, larg presionit të madh që shoqëron çdo lojtar te United.
Nëse marrëveshja finalizohet, Onana do të bashkohet me një klub ambicioz në Turqi, i cili po kërkon të forcojë skuadrën me emra me përvojë ndërkombëtare.
Kujtojmë që gjatë kësaj të shtune klubi turk ka zyrtarizuar huazimin e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Ernest Muçi, nga Beshiktashi.
sfidanti.al