Njukasëlli e Uest Hemi duan dy shqiptarë për vitin tjetër, Asllanin dhe Brojën!

Konkurrenca për të nuk po njeh cak. Nuk e dinim kaq të rëndësishëm Kristjan Asllanin, por mesfushorit shqiptar i mjaftoi një gjysmë sezoni për t’u bërë i njohur në të gjithë Europën. Mediat në kontinent shkruajnë se për kartonin e futbollistit të kombëtares shqiptare interesohen jo vetëm Milani, Interi e Napoli në Serinë A, por edhe dy klube në Premier Ligën angleze. Bëhet fjalë për Njukasëllin dhe Uest Hemin. Klubi i parë ka pronare familjen mbretërore saudite dhe nuk do ta ketë aspak problem të paguajë kartonin e 20-vjeçarit, madje mund ta kalojë fare lehtë kërkesën e Empolit për 15 milionë eurosh. Edhe Uest Hemi do të luftojë fort, dhe si çdo klub anglez, nuk i ka problem paratë.

Minusi i vetëm për këto dy skuadra është që nuk luajnë në Champions, ndërsa Asllani do të siguronte futbollin e elitës europiane duke shkuar tek Interi apo tek Milani. Nga ana tjetër, shqiptari do të duhej të mendohej nëse do të ishte më mirë të kalonte në kampionatin më të fortë të botës, apo të mbetej në Serinë A, që gjithashtu është mjaft cilësore dhe të cilën e njeh më mirë. Këtë do ta tregojë e ardhmja, ndërsa Njukasëlli e Uest Hemi interesohen edhe për një tjetër yll kuqezi. Ata janë gati të investojnë tek sulmuesi 20-vjeçar i Çelsit, Armando Broja.

Sfidanti.al