Në Madrid ndeshja mbaroi, por ende jo në Milano. Futbollistët që kishin humbur në stadiumin “Di Stefano”, ata të Borusias së Mynshengladbahut, as nuk e menduan disfatën, por u mblodhën rreth e rrotull një tableti, si “mizat pas mjaltit”, për të ndjekur momentet e fundit të sfidës Inter-Shahtar. Brenda atij tableti ata shihnin fatin e tyre, pasi barazimi në Itali do të thoshte kualifikim. Kështu edhe ndodhi, ndërsa pak ekipe humbëse në histori kanë gëzuar kaq shumë sa djemtë nga Gjermania. Gladbahu ishte një superfuqi në vitet 70-të duke fituar dy tituj europianë, arriti një gjysmëfinale në 1987, ndërsa vitet e fundit arriti në 16 më të mirët në Ligën e Europës, por Championsi kishte pasur vetëm dy eleminime në grup. Pas kaq shumë kohësh ja ku vjen një sukses dhe Borusia është në turin e dytë në Ligën e Kampionëve.
Sfidanti.al