Një Artur për Barçën, ndërsa Mesi ngre lart shokun e ekipit!

Barcelona do të ketë një mesfushor më shumë vitin e ardhshëm. Artur Melo, thjesht Artur, do të vijë nga Gremio e Brazilit në janar 2019, sipas akordit për të cilin flasin mediat e gjithë botës. Shpenzimi për kartonin shkon 30 milionë euro “në dorë” dhe 10 milionë euro si pagesa të ndryshme të mëvonshme. Mesfushori është vetëm 21 vjeç pra nëse fitohet si “bast”, pritet të ketë karrierë të gjatë në “Kamp Nou”.

Gjithsesi, në Barcelonë ndodhet një tjetër i ri, prodhim i klubit, i cili lavdërohet shumë nga Lionel Mesi. Flitet për Sergi Roberton, dhe ai kujtohet pikërisht tani në përvjetorin e përmbysjes së madhe të Barcelonës ndaj Paris SG në Champions (6-1). Sergi Roberto shënoi golin e gjashtë në minutat shtesë dhe kualifikoi katalanasit, ndërsa Mesi e vlerëson kështu: “Je bërë një nga mbrojtësit e krahut më të mirë të botës, ishte i pabesueshëm momenti kur shënove atë gol”. Sergi Roberto ka rinovuar kontratën me klubin dhe pritet edhe ai të ketë një karrierë të gjatë në “Kamp Nou”.

Sfidanti.al