Nikoleta dhe Lorenca, ja motrat që zbutën kolonjarët ditën e zgjedhjeve

Në ndeshjen Gramozi – Memaliaj, për javën e 7-të të Kategorisë së Dytë, dizenjatorët e arbitrave pranë FSHF-së kishin caktuar edhe dy vajza, në katërshen që do të drejtonte garën. Një nga asistentet e kryesorit Ledio Ziu ishte Nikoleta Prenga, ndërsa motra e saj Lorenca ishte arbitre e katërt. Takimi përkonte edhe me ditën e zgjedhjeve lokale në Kolonjë dhe situata ishte tejet e ngarkuar, siç ndodh gjithmonë në raste të tilla në Shqipëri.

Gjithsesi, 90 minutat e garës nuk patën asnjë ndikim nga politika, pra gjithçka mbeti nën pushtetin e futbollit, duke qenë një ndeshje korrekte, pavarësisht se ishin miqtë nga Memaliaj, ata që larguan të fituar nga Erseka (1-2). Mbi të gjitha arbitrimi në tërësi u konsiderua korrekt, duke mos u shoqëruar me kontestime, si rrallë herë pas një rezultati të tillë në kategori inferiore. Sigurisht, që për të qetësuar shpritrat e kolonjarëve, të trazuar atë ditë të djele, ndikuan edhe Nikoleta e Lorenca, të cilat u votuan PRO nga tifozët vendas.