Një parrullë që Klodian Duro nuk e meritonte

Tifozët e Tiranës kanë dalë hapur kundër ish-futbollistit Klodian Duro, duke mos ngurruar ta cilësojnë atë si një mosmirënjohës. Duro deklaroi tre ditë më parë për “Panorama Sport” se edhe Tirana duhej dënuar si Flamurtari, për shkak të borxheve të vjetra dhe të papaguara ndaj tij. Klubi nuk ka bërë ende një reagim për këtë çështje, por tifozët bardheblu reaguan sot gjatë ndeshjes së Kategorisë Superiore mes Tiranës dhe Laçit me një bandelorë të shpalosur.

“Duro, qeni që kafshoi dorën që e ushqeu”, është mesazhi i qartë i fansave, të cilët duket se nuk e prisnin deklaratën e ish-mesfushorit të skuadrës së tyre të zemrës dhe ekipit kombëtar.