Pse kemi qenë kaq të varur nga futbollistët me origjinë nga Kosova, aq sa janë thirrtur për të mbushur skuadrat përfaqësuese tonat, të të gjitha niveleve? Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë. Andej kufirit i kanë injoruar kushtet e vështira të infrastrukturës dhe e kanë koncept të trashëguar pune, identifikimin e talenteve dhe më pas promovimin e tyre. Në të kundërt, në Shqipëri, fëmijët shihen si mundësi fitimi, sa janë në ekipet zinxhirë, ndërsa kur rriten, në përgjithësi i mbyllet dera e ekipeve të para, të cilët rëndomë mbushen me futbollistë, duke filluar nga Ballkani dhe deri tek kontinetet e largëta, Azia, apo Afrika. Ja rasti i fundit, që shërben si shtysë, për të kuptuar se çfarë ndodh në anën tjetër të kufirit.
Një futbollist me prejardhje nga Kosova, por i lindur në Francë, Edi Kuka, i është nënshtruar të dielën provave me skuadrën e Realit të Madridit. Lojtari 12 vjeçar u përzgjodh si më i miri, jo në vendin e lindjes, por në atë të origjinës, ku edhe konkuroi, pra në Kosovë dhe ku Madrid Soccer Academy ka sjellë skautët e tij. Tashmë Kuka do t’i nënshtrohet provave për dy javë dhe më pas, skuadra mbretërore do t’i kthejë përgjigje, nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionëve të Evropës. Pra vetëm kaq nevojitet, një punë me pasion dhe vëmendje, ndërkohë që talentet lindin edhe në fusha jo shumë cilësore.