Nuk ka mbushur ende 22 vjeç, por talenti e sfidon moshën. Lautaro Martinez është sulmuesi “jashtëklas” i radhës që prodhon futbolli argjentinas, sipas traditës më të mirë që solli Stabilen, Kempesin, Valdanon apo Batistutën. Në miqësoren ndaj Venezuelës në “Uanda Metropolitano” të Madridit, ylli i ri i Interit pritet të jetë titullar në repartin ofensiv, në krah të Lionel Mesit.
Një rrugë e gjatë e përshkuar shpejt prej tij, në kombëtare dhe në klubin e Serisë A, gjë që tregon se çfarë talenti dhe vendosmërie ka djaloshi i lindur në Bahia Blanka të Argjentinës. Në “San Siro”, ai përfitoi edhe nga “lufta civile” mes Interit dhe Mauro Ikardit, por kjo nuk shpjegon gjithçka, sepse suksesi ishte së pari për meritë të vetë Lautaros.
Pasi shënoi 22 gola në 48 ndeshje për Rasingun në Argjentinë, dhe pasi realizoi 7 herë në vetëm 11 paraqitje për Argjentinën U20, Martinezi është gati për kombëtaren e madhe. Kombëtarja dy herë kampione e botës, dhe Interi duket se do të kenë një të ardhme të madhe me Lautaro Martinezin.
Sfidanti.al