Janë dy superfuqi moderne të lojës europiane të koshit, dhe tepër të forta në shtëpi, por jo kaq shumë kur janë ndeshur me njëra-tjetrën. Shpesh Fenerbahçe ka fituar në Moskë e CSKA-ja në Stamboll, dhe nuk bëri përjashtim dueli i javës së 28-të të Euroligës luajtur në kryeqytetin rus.
CSKA-ja fitoi 70-68 një ndeshje tepër të fortë, që u dominua më shumë nga mbrojtja sesa nga sulmi. Jo më kot turqit e trajnerit Obradoviç kanë mbrojtjen më të mirë të kontinentit, por gjithsesi rusët shfrytëzuan më në fund faktin se kanë sulmin më të mirë të Euroligës.
Amerikanët Klajbërn (16 pikë, 8 tabela) e Higins (15 pikë) ishin më të fortët për vendasit, ndërsa serbi Nikola Kaliniç shkëlqeu për miqtë, me 17 pikë, 7 topa në tabela e 4 asistë, Ali Muhamed shënoi 15 dhe Jan Veseli 10.
Klajbërn ishte lojtari më i mirë i kampiones së Rusisë, duke shënuar kosha në momentet vendimtare, e duke detyruar lojtarët kundërshtarë të shkaktonin 7 gabime personale ndaj tij. Fenerbahçe mbetet në vend të parë me 23 fitore e 5 humbje, e CSKA-ja është e dyta me 22 fitore e 6 humbje. Në duelet direkte, Feneri ka epërsi pasi fitoi ndeshjen e parë me 4 pikë, ndërsa humbi të dytën me vetëm 2.
Sfidanti.al