E përditshmja spanjolle, “AS”, rreshton disa ngjarje të rënda në historinë e kampionateve europianë të futbollit. Pasi UEFA e shtyu për 1 vit atë që duhej të luhej këtë verë, gazeta e Madridit shkruan për momente të vështira, ku dy herë përfshihet Shqipëria. “Hallet” e Europianit nisën kur diktatori spanjoll, Franko, nuk lejoi kombëtaren të luante ndaj Bashkimit Sovjetik (BRSS) në Euro 1960, për shkak të tensioneve politike dhe mungesës së marrëdhënieve diplomatike. Katër vjet më vonë, në 1964, Franko ndryshoi mendje dhe Spanja fitoi finalen e Europianit ndaj Bashkimit Sovjetik, 2-1 në Madrid.
Në Euro 1964, problem më vete ishte refuzimi iGreqisë për të luajtur me Shqipërinë, dhe në fazën eleminatore, skuadra shqiptare u kualifikua në tavolinë duke u ndeshur me Danimarkën. Greqia e quante veten në gjendje lufte me Shqipërinë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Në 1992, Jugosllavia u përjashtua nga Europiani pas luftërave në Kroaci dhe më pas në Bosnjë-Hercegovinë, dhe në vend të saj në Suedi shkoi Danimarka, që u shpall kampione e Europës.
Kulmi arriti me betejën e Beogradit, mes shqiptarëve dhe serbëve, pas shfaqjes së dronit me një hartë të Shqipërisë së Madhe në stadiumin e Partizanit. Tifozë serbë hynë në fushë dhe u përleshën me lojtarët shqiptarë, në një nga skandalet më të mëdhenj të futbollit. Shqipëria fitoi ndeshjen në tavolinë 3-0, dhe shkoi për herë të parë në fazën finale të një Europiani, në 2016 në Francë.
Sfidanti.al