Nga Fliku te Kunci, si është gara për stolin e Gjermanisë?!

E përditshmja “Bild” njofton se dëshira më e madhe e Federatës është që të caktojë në detyrë trajnerin e Bajernit. Hansi Flik i plotëson të gjitha kushtet për të qenë në stolin e Gjermanisë, si tekniku më i mirë i botës tani për tani, si njeriu që fitoi gjithçka me bavarezët, dhe që mori ekipin e Mynihut nga buza e greminës për ta ngjitur në “Olimp”. Federata Gjermane e Futbollit shpreson që Fliku të mund të kandiset, dhe një arsye thuhet se është kriza e tij me drejtorin sportiv të klubit, Hasan Salihamixhiç. Gjithsesi, ndoshta këto janë “petulla me ujë”, pasi Flik duket tepër i ri për të lënë një punë të përditshme në skuadrën më të mirë të botës, për të punuar mbi baza të përkohëshme qoftë edhe tek Gjermania.

Kandidat si pasardhës i Joakim Lëvit shikohet trajneri i Gjermanisë U21, Shtefan Kunc, ndërsa vetë Lëvi ka propozuar ndihmësin e tij Markus Zorg (Sorg). Gjithsesi, Federata nuk do të donte Zorgun, pasi ai do të ishte si një lloj vazhdimësie e ish-trajnerit. Në listë është padyshim trajneri i Lajpcigut, Julian Nagelsman, gjithashtu një emër shumë i pëlqyer nga drejtuesit dhe nga publiku.

Sfidanti.al