Kur Seria A të rifillojë, ai besohet të jetë në krye të detyrës. Tomas Strakosha është duke e marrë veten plotësisht nga dëmtimi në gju, dhe portieri i Lacios e i kombëtares së Shqipërisë e shfrytëzoi plotësisht pushimin e detyrueshëm të futbollit për shkak të koronavirusit. Mediat në Itali pohojnë se 24-vjeçari po vazhdon të vëzhgohet nga stafi mjekësor lacial, dhe për fat fryrja në gju nuk është ndonjë gjë e madhe.
Me Lacion pretendente për titullin, në një garë të ashpër me Juventusin, trajneri Inzagi dëshiron që t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, pra edhe Strakoshën. Ndërkaq, janë hedhur poshtë lajmet se portieri shqiptar ka dalë pozitivi për koronavirus. Klubi kryeqytetas doli me deklaratë duke përgënjeshtruar këta zëra, e duke thënë se Strakosha gëzon shëndet të plotë përsa i përket epidemisë. Këto fjalë i tha mjeku i skuadrës, Pulçini.
Krerët e klubit, sidomos, drejtori sportiv Igli Tare, po përpiqen ndërkaq për rinovimin e kontratës së gardianit të portës. Mediat shkruajnë se bisedimet po ecin mirë, dhe se akordi mund të zgjatet nga viti 2022, që është tani, deri në 2025, duke e rritur vlerën e pagës në mbi 2 milionë euro në sezon, përfshi edhe shpërblimet.
Sfidanti.al