Dëmtimi në prill rezultoi fatal, të paktën për këtë vit. Elis Bakajt nuk i shkoi mbarë etapa më e fundit në futbollin bjellorus me Dinamon e Brestit, ndërsa e mbylli bashkëpunimin. Faqja zyrtare e ish-kampiones së Bjellorusisë njofton se sulmuesi shqiptar dhe klubi mbyllën bashkëpunimin, ndërsa i uroi Bakajt sukses në karrierë.
Dëmtimi në ndeshjen ndaj Sllavias së Mozirit bëri që 33-vjeçari të kalonte një kohë të gjatë rikuperimi dhe të mos e gjente sërish vendin si titullar në skuadër. Ai do ta vazhdojë karrierën tek klubi tjetër i Premier Ligës bjelloruse, Ruh, që i përket po qytetit të Brestit.
Bakaj nënshkroi me Dinamon e Brestit në fillim të sezonit të fundit dhe kampionia bjelloruse kishte shpresa se me të do të mbronte titullin. Jo më kot, ai shkëlqeu në Ligën e Europës me ekipin tjetër të Bjellorusisë, Shahtjorin e Soligorskut duke shënuar gol e duke dhënë asistin për golin tjetër në fitoren 2-0 ndaj Esbjergut të Danimarkës, përballje që përfundoi me kualifikim.
Bakaj e nisi herët karrierën, që në moshën 16-vjeçare me Partizanin, ndërsa në në vitin 2010 fitoi titullin kampion në Shqipëri me Dinamon. Ai pati shumë aventura jashtë vendit, si në Rumani, Ukrainë, Kroaci, Izrael dhe së fundmi në Bjellorusi. Bakaj u kthye disa herë në Shqipëri duke luajtur për Tiranën, Vllazninë dhe Kukësin. Ai u shpall dy herë lojtari i vitit në Shqipëri, si dhe fitoi kupa e superkupa në Rumani e Bjellorusi.
Sfidanti.al