Dy gola nga Rroca, një nga Bakaj dhe një Ismajl që përballon Lukakun!

Ishte java e tij, ndërsa po vazhdon sezonin shumë të mirë. Eduart Rroca shkëlqeu sërish në ligën e parë të Turqisë duke shënuar dy gola në ndeshjen e Instanbulsporit në fushën e tij ndaj Bursasporit. Ish-mesfushori i Kukësit ishte më i miri në fushë në një sfidë që doli e vështirë. Shqiptari 27-vjeçar tundi rrjetën që në minutën e pestë dhe pastaj në të 12-ën.

Rroca ka 4 gola e 5 asiste në 10 ndeshje të luajtura duke qenë padyshim lojtari më i mirë i skuadrës. Për fat të keq, ekipi i tij nuk mundi ta fitonte ndeshjen edhe pse kryesoi 3-0, pasi miqtë shënuan 3 herë në 20 minutat e fundit. Istanbulsporti është në vendin e 8-të me 22 pikë, me synimin për t’u ngjitur në Superligë, por për momentin duket se do ta ketë të vështirë.

Gol edhe për Bekim Balajn në Superligën e Austrisë për Shturmin e Gracit. Sulmuesi i kombëtares hyri në fushë në minutën e 71-të, por kjo nuk e pengoi të gjente rrugën e rrjetës, ndërsa Shturmi është pretendent për titull duke kërcënuar të plotfuqishmin Salcburg.

Paraqitje e mirë dhe vlerësime për Adrian Ismajlin në Serinë A. Mbrojtësi i kombëtares ishte më shumë se dinjitoz në përballjen e Specias në fushën e Interit. Shqiptari përballoi mirë duelet me sulmuesit kryesorë zikaltër, Lautaro Martinez e Romelu Lukaku, duke mos pasur asnjë faj në dy golat e pësuar në pjesën e dytë. Ai u quajt një e papritur pozitive dhe një nga lojtarët më të mirë në fushë për të dyja skuadrat.

Ndërkaq, moment “jo” për Tomas Strakoshën. Portieri i kombëtares mbetet në stol për Lacion, dhe kështu ndodhi në fitoren 2-0 ndaj Napolit në kampionatin italian. Titullar luajti sërish spanjolli Pepe Reina i cili bëri disa pritje, ndërsa trajneri Simone Inzagi u shpreh pas ndeshjes se për momentin hierarkia është e tillë dhe se Reina e meriton formacionin.

Sfidanti.al