Nëntori kuqezi/ Ekipet kombëtare që do të zbresin në fushë

Pjesa më e madhe e ekipeve kombëtare do të angazhohen në takime zytyare dhe jo vetëm gjatë muajit të festave kombëtare. Sipas një kalendari paraprak, thuajse të gjithë ekipet Kombëtare kuqezi do të jenë të angazhuara në 15 ndeshje në muajin nëntor. Sfida zyrtare dhe miqësore janë në program për kuqezinjtë, duke nisur nga Kombëtarja e Futsallit, për të vijuar te moshat e më pas te Kombëtarja A dhe Shqipëria U-17 e vajzave.

Kombëtarja shqiptare e Futsallit do të zbresë e para në fushë. Në datat 8 dhe 9 nëntor do të zhvillojë dy sfida miqësore kundër Malit të Zi, në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet. Për Kombëtaret U19 dhe U17 janë në program në total gjashtë ndeshje kualifikuese për Europianin e këtyre grup-moshave. Shqipëria U19 do të luajë sfidat kualifikuese në Grupin 13, në datat  15, 18 dhe 21 nëntor kundër Irlandës, Belgjikës dhe Sllovenisë. Të gjitha ndeshjet kualifikuese të këtij grupi do të luhen në vendin tonë, nën mbikëqyrjen dhe organizimin e FSHF-së.

Në datat 15, 18 dhe 21 nëntor do të luajë edhe Shqipëria U17 sfidat kualifikuese të Euro 23/24 për këtë grup-moshë. Kuqezinjtë janë pjesë e grupit 5 dhe do të udhëtojnë drejt Portugalisë, aty ku do të zhvillohen ndeshjet kualifikuese. Shqipëria U17 e drejtuar nga Ardi Behari do të luajë ndeshjen e parë ndaj vendasve të Portugalisë dhe më pas do të ndeshen ndaj Çekisë dhe Malit të Zi. Fokusi kryesor është te Kombëtarja A. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Sylvinho do të zhvillojë sfidën e parafundit kualifikuese në Grupin E, më datë 17 nëntor në transfertë ndaj Moldavisë. Kuqezinjve u mjafton vetëm një pikë për të siguruar matematikisht kualifikimin në “Gjermani 2024”. Tre ditë më vonë, më datë 20 nëntor, Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në Grupin E ndaj Ishujve Faroe në “Air Albania”, në orën 20:45.

Shqipëria U21 do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës për kualifikueset e “Euro 2025”,  të dyja në transfertë, fillimisht me Rumaninë më 17 nëntor, ndërsa më 21 nëntor do të luajnë ndaj Malit të Zi. Shqipëria U21 udhëheq grupin E me nëntë pikë, pas katër ndeshjeve të zhvilluara. Kombëtarja U17 e vajzave do të luajë në datat 24, 27 dhe 30 nëntor, raundin e parë kualifikues të Euro 2024. Të tre sfidat do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit” fillimisht ndaj Uellsit, e më pas ndaj Ishujve Faroe dhe Kazakistanit.

sfidanti.al