Në Portugali ngrenë në qiell Gonsalo Ramosin dhe ekipin: Mund të fitojmë Botërorin!

E udhëhoqi ekipin e tij në suksese të mëdha. Kristiano Ronaldo padyshim që është një legjendë e gjallë tek Portugalia, por ditët e lumtura kanë marrë fund. Superylli 37-vjeçar, që udhëhoqi kombëtaren në fitoren e Euro 2016-ës dhe Ligës së Kombeve në 2017, u la në stol nga trajneri Fernando Santos për ndeshjen e raundit të dytë të Kupës së Botës ndaj Zvicrës, por mungesa e tij nuk u ndje. Heroi në fitoren 6-1 ishte dikush që nuk pritej, 21-vjeçari Gonsalo Ramos. Sulmuesi shënoi tre gola në mundësinë e parë që iu dha si titullar. Akush nuk e ka bërë një gjë të tillë tek Portugalia në moshë më të re, përveç pikërisht Ronaldos. Ai fitoi edhe çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes.

Mediat sportive portugeze e ngritën në ajër. “Shkatërruesi, – titulloi “A Bola”, – Gonsalo Ramos, shkëlqen si titullar duke shënuar 3 golëshin e parë të Botërorit!” “Ramos bën historinë, – brohoret e përditshmja tjetër “Rekord”, – pas Ronaldos është më i riu portugez që shënon 3 gola në një ndeshje!” Lakonike gazeta “O Zhogo”, “Kështu po!, titullon ajo, kombëtarja hedh kandidaturën për titull pas një paraqitjeje të një tjetër bote!” Me Ronaldon që duket se po largohet nga skena, e që iku i pari nga stadiumi në përfundim të ndeshjes, Portugalia ka gjetur një pasardhës. Gonsalo Ramos e ka treguar këtë sezon me Benfikën ku ka shënuar edhe në Champions, ndërsa paradoksi mund të jetë që mund ta ndihmojë Kristianon të fitojë një tjetër trofe. Nëse Portugalia merr Kupën e Botës, trofeun do ta ngrejë pikërisht kapiteni.

Sfidanti.al