Ishte një mbrëmje triumfale për ekipin më të shquar të Italisë së Jugut, i cili po shijon paksa nga lavdia e dikurshme me Diego Armando Maradonën, apo sado pak në kohën e Mauricio Sarrit. Napoli fitoi 4-0 në fushën e Udinezes, dhe ka tani 12 pikë të plota në 4 ndeshje, dy pikë më shumë sesa Interi e Milani dhe 3 më shumë se Roma e Zhoze Murinjos. Për momentin, të besuarit e Luçiano Spaletit kanë 10 pikë më shumë sesa Juventusi i madh. Napolitanët kanë gjetur disa heronj të rinj në ekip, si sulmuesi Osimhen që po shpërthen këtë sezon, mbrojtësi i qendrës Kulibali që cilësohet si kapiteni i vërtetë i ekipit, padyshim Lorenco Insinje, madje edhe mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani. Kaq mirë nuk ishte menduar ndonëse Spaleti është një trajner me shumë përvojë sepse ka drejtuar Romën, Zenitin e Shën Peterburgut dhe Interin. Gjithsesi, duket se gjëja kryesore tek Napoli është harmonia, pra fakti që pavarësisht nga natyra “zevzeke” e presidentit Aurelio De Laurentis, Spaleti nuk është ofenduar ende. Nëse kjo do të ndodhë, siç ngjau me Sarrin e Gatuzon, atëherë edhe fitoret do të jenë më të vështira për t’u arritur.
Sfidanti.al