Murinjo, spiunove apo thjesht bëre sherr me trajnerin kundërshtar?!

“Qëllimi justifikon mjetin”, shkruante Makiaveli sa e sa shekuj më parë. Zhoze Murinjo mund të quhet një makiavelist i kohëve bashkëkohore, që nuk ka nevojë të presë koka, por thjesht të bëjë disa “truke” më shumë sesa “vija e kuqe” e lejuar, për të marrë atë që dëshiron. Përtej luftërave psikologjike, apo përplasjeve me trajnerë kundërshtarë (e mbani mend, besoj, gishtin në syrin e Vilanovës së shkretë!), portugezi duket se përdori edhe diçka tjetër në stadiumin e Sauthemptonit.

Në një moment, ai u përkul shumë ndërsa ndodhej pranë stolit kundërshtar, dhe përshtypja e përgjithshme ishte që Murinjo po spiunonte ato që po shkruante trajneri i Sauthemptonit, me gjasë udhëzime taktike. Pas kësaj, gjyqtari i ndeshjes i tregoi kartonin e verdhë teknikut të Totenhemit. Në përfundim të ndeshjes, Murinjo u ngacmua nga gazetarët, dhe mohoi të kishte spiunuar. “Kartoni i verdhë për mua ishte i drejtë, – tha ai, – unë u tregova i ashpër, por u tregova i ashpër me një idiot. Unë nuk spiunova për shkëmbeva fjalë të rënda me një pjesëtar të stafit të Sauthemptonit”. Zhoze u duk i vënë në vështirësi, sepse pas ngjarjes, tundi kokën në shenjë faljeje dhe i shtrëngoi dorën gjyqtarit të katërt.

Sfidanti.al