Mungon Halandi? Mançester Siti ka edhe “asin nën mëngë”, De Brujne!

Trajneri i Leisterit, Brendan Roxhers, ndoshta u gëzua para kohe që kampionët nuk e kishin yllin kryesor të sulmit. “Qytetarët” e patën të vështirë në fushën e “dhelprave”, por gjithsesi Pep Guardiola pati një tjetër “kulm” të “repertorit” të tij. Ky ishte “asi nën mëngë”, Kevin De Brujne, që shënoi një gol shumë të bukur me goditje dënimi duke siguruar fitoren 1-0 në një ndeshje jashtë në Premier Ligë. Mesfushori belg goditi në nisje të pjesës së dytë, dhe Siti u kthye aty ku e ka pasur vendin shumicën e kohës këta vjet, në vendin e parë. Kjo mund të jetë e përkohëshme sepse Siti ka 29 pikë ndaj 28 të Arsenalit që ende nuk ka luajtur, por gjithsesi kampionët janë kthyer, madje edhe duke mos e pasur Erling Halandin.

Sfidanti.al