Në Torino u ndje më shumë djalë shtëpie sesa në Madrid. Edhe pse ishte “kanterano” i Realit, pra i dalë nga Akademia, sërish Alvaro Morata nuk u bë kurrë pjesë organike e skuadrës madrilene, ndërsa tek Juventusi ishte një nga idhujt e tifozëve. Sulmuesi spanjoll do të kthehet sërish në stadiumin “e tij”, aty ku luajti për dy sezone me kampionët e Italisë, dhe emocionet pritet të jenë të forta.
Tifozët padyshim që do ta brohorasin, ndërsa shokët e skuadrës do ta përqafojnë. Të mos harrojmë se lojtarët juventinë e përcollën me shumë dashuri kur u kthye tek Reali në 2016, pasi fitoi dy tituj e pasi luajti finalen e Championsit në Berlin. Sezonin e parë shënoi 15 gola e shërbeu 7 asistë. Nuk harrohen dy rrjetat ndaj Realit në gjysmëfinale të Championsit, që praktikisht eleminuan ekipin spanjoll, po ashtu goli në finale ndaj Barcelonës, por që nuk e shmangu mallkimin e Juves në finale të tilla.
Gjithsesi, Morata sot do të ketë detyrë të luftojë kundër Juventusit, pasi do të veshë fanelën e Atletikos së Madridit. Skuadra spanjolle fitoi 2-0 ndeshjen e parë dhe cilësohet favorite për të kaluar në çerekfinale të Championsit, ndonëse trajneri “El Çolo” Simeone thotë se “ende nuk jemi kualifikuar”. Për fatin e tij, Morata ka qenë në formë shumë të mirë që kur u bashkua me Atletin në janar.
Sfidanti.al