Didi Haman gjeti “enigmën” Guardiola, do gjejë dhe “Levandovskin”?

Nuk është e lehtë të punosh si analist televiziv, qoftë edhe kur ke qenë futbollist i mirë apo trajner i njohur. Ditmar “Didi” Haman ka qenë një lojtar mjaft i mirë me Bajernin, Liverpulin dhe kombëtaren e Gjermanisë, ndërsa opinionet që jep për “Skaj Sportin” e kanë përplasur pikërisht me bavarezët e fuqishëm.

Haman kritikoi Robert Levandovskin pak javë më parë, duke e quajtur “të vetmuar”, që shpesh sillet si pa motiv në fushë, dhe e cilësoi “problem për Bajernin”. Kjo nuk i pëlqeu Uli Hënesit dhe presidenti bavarez komentoi se “Hamani mendon se i di të gjitha më mirë se të tjerët, dhe se është trajner më i mirë se Guardiola dhe Ançeloti të marrë së bashku, ndërsa ka punuar pa sukses vetëm në kategorinë e pestë”.

Ish-mesfushori iu përgjigj duke thënë se “Hënesi po sillet si fëmijë, dhe se tek Bajerni kanë një të keqe që gjërat teknike i marrin si personale, unë jam analist dhe them mendimin tim”. Hamani kujtoi një ngjarje të para disa viteve. “Atëherë unë thashë se Pep Guardiola do të largohej për në Angli, – u shpreh ai, – dhe Rumenige më quajti si përrallëtarin më të madh në botë pas vëllezërve Grim. Unë pata të drejtë, dhe tani ata filluan përsëri me Levandovskin”.

Sfidanti.al