Mjeku ganez: Duamena nuk duhej të luante

Tragjedia e Rafael Duamenës, i cili humbi jetën pasi pësoi kolaps në ndeshjen Egnatia-Partizani, mund të shmangej nëse lojtari ganez do të kishte dëgjuar këshillat e vazhdueshme të mjekëve që të linte futbollin. Në fakt, një nga mjekët më të njohur të Ganës, Prins Pambo, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Mjekësor të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF) e kishte ftuar publikisht të bënte një gjë të tillë.

Duke folur gjatë një interviste pasi Duamena pësoi kolaps në Austri, mjeku i njohur në Ganë, kishte bërë të qartë se në kushte të tilla ai duhej të tërhiqej medoemos nga sporti. “Nëse Duamena do të ishte pacienti im, unë do të ulesha me të dhe të ndalej për një vit apo dy”, tha Pambo në intervistën e tij në nëntorin 2021.

“Në këtë mënyrë do të hynim në thellësi të çdo problemi që ai ka. Unë me shumë mundësi do të isha i orientuar që ta përgatitja atë shumë mirë për një tërheqje shumë të bukur nga sporti. Unë mendoj se sa herë ndodhin gjëra të tilla, një vendim i guximshëm duhet marrë. Dhe unë do të isha i orientuar që të përgatitja pacientin tim që të kishte një largim të pastër dhe të mirë nga aktiviteti si dhe të shihnim se si ai mund të përdorë eksperiencën që ka fituar duke luajtur futboll për të ndihmuar industrinë, me shumë mundësi nga një pikëpamje teknikë apo administrative”, theksoi asokohe ai, duke bërë të qartë se sipas tij, ditët në fushën e lojës për Dumenën kishin mbaruar.

sfidanti.al