Transferimi nga Torino tek Empoli nuk është se i ka bërë më mirë Etrit Berishës. Gardiani i Kombëtares shqiptare nuk ka debutuar me fanellën e re, por ka gjasa ta bëjë sont në 20:45 kundër Juventusit. Lajmi i mirë vjen nga vendi fqinjë vetëm pak orë pasi trajneri i Kombëtares, Sylvinho e pranoi hapur që porta mbetet reparti më delikat për shkak të minutave të pakta që kanë marrë Berisha dhe Strakosha.
Berisha projektohet kështu titullat edhe për shkak të gabimeve që ka bërë Samuele Perisan. 25-vjeçari i promovuar si portier i parë pas shitjes së Vikarios nuk e ka shpërblyer besimin dhe duket se po vuan presionin e Serisë A. Për këtë arsye, trajneri Zaneti mendohet se ndaj Juves do t’i besojë përvojës së 34-vjeçarit të lindur në Prishtinë.
Në ndihmë të Berishës, edhe Ardian Ismajli. 26-vjeçari ka luajtur të gjitha minutat me Empolin mes ndeshjeve të kampionatit dhe një sfide në Kupën e Italisë. Mbi 270 minuta për të duke përfshirë shtesat e bëjnë një lider të skuadrës, e cila edhe sivjet do të tentojë të mbijetojë në elitën e futbollit në Gadishullin Apenin.