Milan nuk heq dorë nga Armando Broja

Në Londër mbetet e hapura tema “Broja”. Ylli kuqezi u largua nga Chelsea për te Fulham, me shpresat që të kishte më shumë minuta në dispozicion. Drejtuesit e Chelsea-t kërkojnë që Broja të rikthehet në formë optimale, për ta shituar më pas në verë me titull definitiv, kjo është e qartë, mjafton të shohim kontratën e huazimit me Fulham. Ekipi londinez pritet t’i nënshtrohet një tjetër revolucioni në verë, pasi ky është një tjetër sezon që po shkon drejt dështimit total, me Chelsea-n që është jashtë çdo objektivi në Premier League. Sipas TeamTalk: Broja do të largohet në verë për t’i bërë vend një tjetër sulmuesi.

Nuk është një sekret që Chelsea kërkon prej kohësh shërbimet e Victor Osimhen, kjo është vera e duhur për të siguruar kartonin e sulmuesit të Napolit. Me afrimin e nigerianin, për Brojën nuk do të ketë më hapësira në kryeqytetin anglez, plus klubit i duhen miliona për të qenë korrekt me rregullat e “Fair Play Financiar”. Broja pritet të shndërrohet në një okazion për shumë klube. Sipas mediave italiane, sulmuesi kuqezi ka qenë dhe mbetet një dëshirë e Milanit. Drejtuesit e klubit kuqezi kanë shfaqur interesim për Brojën në mënyrë konstante, pritet të futen sërish në garë në fund të këtij sezoni pasi “djallit” i duhet me çdo kusht një qendërsulmues i ri, Broja i plotëson të gjithë kriteret.

sfidanti.al