Dihej që më parë se Lionel Mesi ishte (dhe mbetet) futbollisti më i paguar në botë, dhe se Nejmar e Kristiano Ronaldo luftonin për t’iu afruar. Gjithsesi, diferenca që jep revista franceze “L’Ekip” është e frikshme dhe të bën të mendosh se ylli i Barcelonës ka një pagesë më të madhe sesa ajo që mendohej. “L’Ekip” e nxjerr argjentinasin me 8.3 milionë euro rrogë në muaj, para heqjes së taksave, dhe ndoshta kjo bën diferencën, pasi raportet deri tani kanë qenë që ai merr 40 milionë euro në vit.
Kristiano Ronaldo qenka në vend të dytë (mendohej se ishte i treti), me 4.7 milionë euro në muaj tek Juventusi, gjithashtu para zbritjes së taksave. Në pozicionin numër 3 nuk është Nejmar, por Antuan Grizman, pasi Atletiko qenka në gjendje t’i jepka 3.3 milionë euro bruto në muaj. Nejmar fiton tek PSG-ja, gjithnjë sipas “L’Ekipit”, 3.06 milionë euro në muaj, ndërsa pesëshja e parë mbyllet me Luis Suarezin, që fiton 2.9 milionë euro në muaj tek Barcelona.
Dhjetëshen e parë e plotësojnë Garet Bejl i Realit, Filip Kutinjo i Barcelonës, Aleksis Sançez i Mançester Junajtidit, Kilian Mbape i Paris SG, dhe Mesut Ozil i Arsenalit. Shumica e më të paguarve, pra janë të ligës spanjolle, dy nga Premier Liga, dy nga Liga e Parë Franceze dhe një nga Seria A.
Sfidanti.al