Romë, përse nuk je gjithnjë kështu? 3-0 Kievos dhe Champions

Xhenaro Gatuzo i kishte rënë pikës. “Edhe pse duket në krizë, Roma është skuadër shumë e fortë”, – u shpreh trajneri milanist pas duelit ballë për ballë. Verdhekuqtë nuk e nxorrën të gabuar, dhe pak ditë më vonë arritën një sukses 3-0 në fushën e Kievos, duke u ngjitur në vend të katërt, në zonën Champions.

Iu përgjigjën fitores 1-0 të Lacios ndaj Empolit, por më thellë, me rrjeta të El Sharauit, Xhekos dhe Kolarovit. Për sulmuesin boshnjak ishte goli i 83-të me fanelën e Romës, në vend të 8-të të shënuesve të të gjitha kohëve, baraz me Marko Delvekion. Për Kolarovin, një gol çlirues pas kritikave të tifozëve, por edhe pas mbështetjes publike të marrë nga kapiteni Daniele De Rosi.

Tifozët kryeqytetas shpresojnë që skuadra e tyre të ketë lënë pas krizën, sidomos atë humbje 1-7 në fushën e Fiorentinës për Kupën e Italisë, një turp i vërtetë. Milani ka mundësi të kthehet në vend të katërt, me një fitore ndaj Atalantës, por dy skuadrat e kryeqytetit të Italisë duket se do të bëjnë konkurrencë deri në fund.

Sfidanti.al