Mesi i jep “sentencën” Setienit: Barçë e dobët, s’ka as Champions!

Kapiteni i katalanasve flet rrallë, por kur e bën, tronditet stadiumi “Kamp Nou”. Me këto fjalë, gazeta “Marka” përshkruajti efektin e kritikave që Lionel Mesi i bëri lojës së Barcelonës pas humbjes shtëpiake ndaj Osasunës, dhe fitores së titullit nga Reali. Madrilenët do të ishin shpallur kampionë, pavarësisht rezultatit të Barçës, pasi e fituan ndeshjen e tyre ndaj Vijarrealit, por argjentinasi merret me ekipin e tij.

“Nuk shpresonim ta mbyllnim në këtë mënyrë, por tregon gjithçka që ishim këtë vit, – u shpreh ai, – jemi një ekip i dobët, që e mundin me ritëm të lartë loje dhe me dëshirë për të fituar. Humbëm shumë pikë aty ku nuk duhej, ishim shumë të parregullt”. “E kam thënë edhe më parë se duke luajtur kështu, vështirë të fitohej Championsi, dhe ishte e qartë se nuk na jepte shpresë as për La Ligën, – vazhdoi Mesi, – duhet të marrim frymë e të mendojmë për Championsin, pasi është një garë e ndryshme, me eleminim direkt. Duhet të ndryshojmë shumë, sepse nëse luajmë kështu, humbim edhe ndaj Napolit”. Mesi nuk deshi të kritikonte Realin, as të merrej me penalltitë, por tha se “Madridi bëri detyrën, dhe i fitoi të gjitha ndeshjet pas rifillimit të kampionatit”.

Sfidanti.al