Merr fund dashuria? Aleatët strategjikë Duka-Ademi me mesazhe divorci

Në momente të vështira e të mira i kemi parë bashkë, krah më krah për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit. Ka ndodhur kështu sa herë janë bërë llogaritë me votat në FIFA e UEFA duke ndjekur strategjinë e përbashkët të shqiptarëve, por po aq “shqiptarë” janë edhe kur grinden për një “vijë uji”. Vëllezërit e një gjaku Duka dhe Ademi duket se janë ftohur dhe shkak është bërë sërish tema “përçarëse” e rekrutimit të “kosovarëve” nga kuqezinjtë. Nisur edhe nga forma e dobët e dardanëve dhe largimi i Dakut dhe Mujës, kreu i FFK, Ademi, u shpreh se Shqipëria nuk duhet të prekë lojtarët e Kosovës, por Armand Duka, ka kthyer një përgjigje dhe këtë herë nuk është kujdesur shumë për diplomacinë.

“Është pak specifike, është pak temë delikate, por nuk shoh asgjë negative, përveçse gjërave pozitive. Nëse do pyesësh çdo qytetar të Kosovës jashtë kufive të Kosovës, nga je? Thonë shqiptar, nuk është ndonjë erezi pse Daku luan për shqiptarët dhe aq më shumë kur është dëshira e tij. Është për t’u shqetësuar kur futbollistët tanë shqiptarë, apo të Shqipërisë, Kosovës apo të Maqedonisë luajnë për Zvicrën apo Gjermaninë, nuk kemi pse të shqetësohemi kur luajnë për Shqipërinë.

Unë i mirëkuptoj, por nuk shkojmë dhe gjuajmë futbollistët që janë në ekipin e Kosovës, kjo nuk ndodh kurrë. Është një dëshirë vetë e futbollistëve, ose nuk kanë gjetur hapësira në Kosovë. Më shumë ka qenë një dëshirë e futbollistëve sesa një kërkesë e jona. Kombëtarja shqiptare do jetë e hapur për çdo shqiptar që dëshiron të luajë për Shqipërinë, qoftë i lindur në Tiranë, Shkup, në Prishtinë “, deklaroi Duka në një emision në Shqipëri. Mesazh i qartë për mikun e tij, i cili për më tepër po përballet me një revoltë të brendshme. Orët e fundit lojt arët e Kosovës kanë kërkuar largimin e tij nga federata ndërsa opinioni publik dëshiron të njëjtën gjë. A do të udhëtojë “vëllai” i tij për t’i dhënë mbështetjen publike siç Ademi ka bërë në çdo zgjedhje apo Asamble të FSHF-së? Vështirë se mund të ndodhë…

sfidanti.al