Sulmuesi iranian i skuadrës së Portos, Taremi flet për herë të parë në lidhje me zërat që lidhnin me skuadrën e Milanit. Tashmë që merkatoja është mbyllur zyrtarisht, ai nuk kursehet me një koment, duke përgënjeshtruar të gjithë zërat e merkatos e duke mohuar që Milani ta ketë kontaktuar madje ai përdor edhe ironine teksa thekson:
“Milani nuk ka pasur kurrë kontakt me mua. Nuk e di pse vazhduan të flisnin me agjentët e gabuar. Nuk ka asnjë klub në botë që zgjedh se kush i përfaqëson lojtarët”.
Shumë i qartë sulmuesi iranian që në orët e fundit të merkatos italiane u zëvendësua nga Luka Jovic. Sulmuesi serb la Fiorentinën për t’u bashkuar me ekipin milanez në formë huazimi. Ai është transferimi i dhjetë i Milanit në këtë merkato verore. Një revolucion i vërtetë në radhët e klubit milanez që arriti një fitore shumë të rëndësishme në Romë, të tretën këtë sezon.