Mediat spanjolle në këmbët e Barcelonës: Superkampione!

Çdo rezultat ishte i pritshëm, por jo kjo diferencë. Një Barcelonë superiore fitoi Superkupën e Spanjës duke mposhtur bindshëm rivalin e përjetshëm, Realin ë Madridit. Përfundoi 3-1 për katalanasit finalja në Arabinë Saudite, por rezultati mund të kishte qenë shumë më i thellë. Mesfushori Gavi ishte më i miri në fushë, me një gol dhe dy asiste, ndërsa gol shënoi edhe sulmuesi polak, Robert Levandovski. Jehona mediatike në Spanjë siç pritej ishte e madhe.

“Kthehet kampioni”, është titulli i të përditshmes së Katalonjës, “El Mundo Deportivo” që thekson se ky ishte titulli i parë pas 638 ditëve! Gazeta tjetër katalanase, “Sport” ka titullin “Super kampionë” dhe analizon se Barcelona ishte qartësisht më lart sesa Madridi. Edhe gazeta “Marka” e Madridit pranoi se Barcelona e meritoi fitoren dhe se Ksavi i dha një leksion Ançelotit dhe një Reali të dobët. Ja edhe e përditshmja tjetër e Madridit, “AS”: Një Super Barçë me një Super Gavi! Mesfushori shënoi një gol dhe shërbeu dy asiste! Kjo fitore pritet t’i japë më shumë besim Barcelonës për vazhdimin e sezonit, ndërsa ndodhet në vendin e parë në kampionatin spanjoll.

Sfidanti.al