Mediat italiane “dashuri-urrejtje” për Juven: Ëndrra Champions përfundoi!

Pritej reagim dhe kjo gjë ndodhi, ndonëse jo plotësisht. Juventusi luajti ndeshjen e parë në Serinë A që pas dënimit nga gjykata sportive, dhe ndaj Atalantës nuk shkoi dot më shumë se barazimi 3-3. Në një përballje të ashpër, me një kundërshtar të fortë, “Zonja e Vjetër” nuk u dorëzua, dhe u duk se heqja e 15 pikëve në renditje nuk i ka thyer futbollistët e saj. Gjithsesi, mentaliteti nuk ishte plotësisht fitues sepse Juventusi kryesoi 2-0 e pastaj rrezikoi ta humbiste ndeshjen. “Zemërimi i Juventusit, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – betejë në fushë dhe në gjykatë! Reagon dy herë ndaj Atalantës, tregon krenari!” “Il Korriere delo Sport” e konsideron momentin “një purgator për Juven”: Nga ëndrra Champions tek dënimi, barazimi e fut në telashe! Gjithsesi, Maks Alegri nuk ishte i dëshpëruar pas ndeshjes, të paktën kështu u duk me deklaratat e tij. Trajneri u shpreh shumë i kënaqur me reagimin e lojtarëve, pavarësisht rezultatit, duke i falenderuar për forcën e karakterit. Po ashtu, Alegri falenderoi edhe tifozët në stadium për mbështetjen. Me këtë barazim, Juventusi ka vetëm 23 pikë, duke qenë në vendin e 10-të në Serinë A, plot 11 pikë larg zonës Champions. Ekziston shpresa se pas dy muajve mund të ketë ulje dënimi pas apelimit që bëri klubi.

Sfidanti.al