Fitore, kryesim dhe rekord. Edhe pse gjithçka ishte minimaliste në “San Siro”, Antonio Konte mund të ndihet mirë si trajner i Interit. Suksesi 1-0 ndaj Lacios bëri që zikaltërit të dilnin të parët në Serinë A me 15 pikë nga 15 të plota, dhe që ai të realizonte nisjen më të mirë të një kampionati në karrierë.
D’Ambrozio ishte autor i golit të vetëm, realizuar shumë shpejt. Është e rëndësishme kur ke shumë lojtarë që mund të gjejnë golin, dhe tek Interi janë Lukaku, Lautaro Martinez, Sensi, D’Ambrozio apo Brozoviç, pa folur për të tjerët.
Lacio fare mirë mund të kishte barazuar, por u ndal nga ai që quhet “njeriu-merimangë”. Portieri Handanoviç, prej muajsh edhe me përgjegjësinë e kapitenit, nuk lejoi në asnjë mënyrë që të prekej rrjeta e tij. Padyshim, ai u ndihmua nga një lojë mbrojtëse shumë e mirë, ndërsa Konte e di se suksesi në futboll nis pikërisht në prapavijë. Pati edhe fat, pasi lojtarët e Lacios gabuan edhe gola të sigurt.
Nuk mbeti pas Tomas Strakosha, tashmë portier titullar i kombëtares shqiptare. Ai ndoshta bëri pritjet e ndeshjes, dy të tilla në pak sekonda. Milanezët vuajtën në pjesën e parë, por pas pushimit Konte mori masat dhe vendasit ishin më mirë. Kjo bëri që trajneri të ishte me kokën lart pas ndeshjes.
“Interi po vazhdon të rritet, ndonëse nuk jemi ende aty ku duhet, – tha ai, – fitorja ishte e merituar. Padyshim, në pjesën e parë duhet të falenderojmë Handanoviçin që bëri shumë pritje, por më pas treguam personalitet dhe lojë të nivelit të lartë”.
Ja edhe mediat. “La Gazeta delo Sport”: Inter i hekurt! Pesë nga pesë, gjithnjë në krye! Lacio mundet 1-0, vendos D’Ambrozio! Handanoviç pret gjithçka, ndërsa mbrojtja është më e mira në Europë! Rrëshqitje e Napolit, tani -6 nga kreu! Kaljari e befason në minutën e 87-të. “Il Korriere delo Sport” bën lojë fjalësh: Sand’Ambrozio, duke e quajtur shenjtor autorin e golit për Interin. Konte vendos rekordin personal, falë edhe pritjeve të Handanoviçit! Napoli, nata e zezë! Rrëshqitje e shëmtuar ndaj Kaljarit, përjashtohet Kulibali!
Napoli, pikërisht pati një rrëshqitje. Disfatë e rëndë në “San Paolo” ndaj Kaljarit modest, që e bën skuadrën e Karlo Ançelotit të duket shumë më pak pretendente për titull sesa mendohej. “Ne luajtëm mjaft mirë, meritonim të fitonim, – kundërshtoi trajneri napolitan, – më vjen keq për rezultatin, por nuk shqetësohem për renditjen, pasi është ende fillimi”.
Interi kryeson Serinë A me 15 pikë, ndaj 13 të Juventusit, e 10 të Atalantës që fitoi papritur 2-0 në fushën e Romës.
Sfidanti.al