Mos vallë titulli në La Liga do të jetë një derbi Atletiko-Real?!

Një legjendë e Barcelonës si Ksavi deklaronte se nuk i besonte krizës madrilene. Paska pasur të drejtë, ndërsa mediat i bëjnë jehonë faktit se Reali kaloi nga kriza më e rëndë prej vitesh, në kryesim të kampionatit spanjoll. Jo vetëm kriza e Barcelonës, por edhe plani B i trajnerit Zinedin Zidan, duket se po e ndihmojnë skuadrën kryeqytetase që mundi 2-0 Osasunën në “Bernabeu” me golat e shënuar nga dy brazilianë. Vinisius Zhunior në pjesën e parë, dhe Rodrigo pas pushimit, vendosën fatin e duelit të La Ligës.

“Jam i lumtur për fitoren dhe që nuk pësuam gol, – tha Zidan pas ndeshjes, – nuk u habita nga niveli i lojtarëve zëvendësues, sepse unë nuk i ndaj futbollistët në titullarë ose jo. Jemi në krye, por kjo nuk do të thotë asgjë, do të vazhdojmë të punojmë. Ndryshimi i vetëm tek ne është që kemi më shumë besim dhe qetësi”.

“Kryesues me ritmin e sambës, – shkruan e lumtur gazeta “Marka”, – Plani B i Zidanit e nxjerr Realin të vetëm në krye! Vinisius shënoi dhe qau nga emocioni! Rodrigo debutim me gol, në prekjen e parë të topit”! i njëjti titull edhe për gazetën tjetër të Madridit, “AS”: “Udhëheqje me samba! Golat e Vinisiusit e Rodrigos e nxjerrin Realin të vetëm në krye!

I veçantë debutimi i brazilianit Rodrigo, që mezi po e priste rastin e tij. Mediat komentuan se mënyra sesi shënoi në kontaktin e parë me topin ishte e veçantë dhe nuk kishte ndodhur që nga koha e Kristiano Ronaldos. Reali, gjithsesi nuk mund të jetë i qetë, sepse e ka një rival, ndoshta edhe më shumë.

Për momentin, Atletiko është sfidantja numër 1 pas suksesit 2-0 në fushën e Majorkës. Diego Kosta shënoi golin e tij të parë zyrtar që nga 31 marsi dhe trajneri Simeone shpreson që sulmuesi spanjollo-brazilian të zhbllokohet tani e tutje. Zhoao Feliks ishte sërish bindës me golin në pjesën e dytë, ndërsa komentet janë që ai është shoku më i mirë i repartit ofensiv për Diego Kostën.

“Duhet të vazhdojmë kështu, – theksoi Simeone, – jam shumë i lumtur sidomos për Kostën, por edhe për Zhoaon. Jemi në rrugën e duhur, por tani kemi derbin dhe duhet të kënaqim tifozët tanë. Është tepër shpejt të flitet për titullin”.

Derbin do ta humbasë një ish-madrilen, Alvaro Morata, që mori dy të verdha të çuditshme në fund. Pati paragjykime për mënyrën sesi u përjashtua sulmuesi, ndonëse ai njihet si profesionist i shkëlqyer. Reali kryeson La Ligën me 14 pikë, ndaj 13 të Atletikos, ndërsa Barcelona është në kuotën 10.

Sfidanti.al