Mbrëmja e fasadës…

Tani që Sylvinho mori dhe pasaportën pas shumë çmimeve honorifike, mund edhe të shikojmë përpara për të rregulluar apo arnuar çfarë të mundemi sepse në fund të ditës ai që duhet të flasë është futbolli me misionin kryesor, atë të argëtimit. Ceremonia e “më të mirëve”, me mjeshtëri mbuloi problemet e mëdha të lojës, ndërsa edhe një herë FSHF me mjeshtëri e PR modern kaloi në plan të fundit çdo hall të Superiores, së Parës e së Dytës.

Duke nisur nga dhuna në fushën e Gjirokastrës, Beratit dhe mësymja e fushës në Kukës, ky futbolli tregoi edhe një herë se nuk mund të jetë fasadë edhe për shumë kohë. Çmimet e më të mirëve në një situatë të tillë janë thjesht “mbulesa” e një gjelle të prishur në një kohë që çmimin e merr një lojtare që është pjesë e një ndeshjeje ende nën hetim e që nuk dihet se kur do të mësojë vendimin e Disiplinës, por edhe në një kohë kur shkallët janë gjithmonë e më të boshatisura e ndonjë zë mbështetës i institucionit që organizon lojën, me shkrimet e sponsorizuara, përpiqet të fajësojë emigracionin masiv për braktisjen e lojës nga njerëzit. Futbolli jonë sot është ky, në fundin e kontinentit. Arritjet e Kombëtares apo një natë ceremoniale nuk mund ta “mbulojë diellin me shoshë”, sado e madhe që të jetë ajo.

Nga Pirro Bardhyli