Papritur, Jeremy Mathieu ka rikthyer popullaritetin botëror. Dhjetë vjet më parë ai fitoi Champions League me Barcelonën dhe luajti edhe në finalen kundër Juventusit. Tani, pas lënies së futbollit të luajtur, ai ka vendosur të ndryshojë jetë. Ish-mbrojtësi francez po punon si shitës në Francë, në një dyqan të një zinxhiri shumë të njohur atje.
Jeremy Mathieu është i lindur në vitin 1983. Ai ka qenë një mbrojtës i klasës së mesme: tre vjet te Sochaux, pastaj tre te Toulouse dhe kalimi te Valencia. Pesë sezone te Piprat, para se të nënshkruante me Barcelonën. Aty bëri hapin e madh. Në pankinë ishte Luis Enrique dhe në fushë Leo Messi. Katalanasit e paguan për të 20 milionë euro. Viti i parë ishte triumfal: tre tituj, një koleksion trofesh, para se të mbyllte karrierën në nivele të larta me Sportingun e Lisbonës. 13 trofe në një karrierë të shkëlqyer.
“L’Equipe” zbuloi sot se çfarë po bën Mathieu tani. Gazeta më e rëndësishme sportive franceze gjeti një foto që qarkulloi në internet, ku ai shfaqet duke punuar si shitës në një dyqan të zinxhirit Intersport. Dyqani u përmbyt me telefonata, rreth tridhjetë të tilla. Shumë njerëz donin të dinin nëse ishte vërtet ai. Sigurisht, vizitorët e dyqanit u trefishuan, pasi shumë donin ta shihnin ish-futbollistin, të merrnin një autograf ose të bënin një foto kujtimi.
Pas ngjarjes, menaxheri i dyqanit, i cili ndodhet midis Aix-en-Provence dhe Marsejës, informoi jozyrtarisht se Mathieu ishte aty për një periudhë prove me ndihmën e një ish-futbollisti që tashmë punon aty, Loic Loval-Landré. Mathieu është një shitës në departamentin e futbollit, pra ai mbetet në botën e tij, atë botë që mund ta rikthejë sërish në të ardhmen, pasi gjatë kësaj kohe ai ka marrë edhe licencën si trajner.
sfidanti.al