“Marka” për Konten: E fundit e “Zotërisë Sherr”

Natyra e tij shpërthyese ka krijuar shumë momente të tilla. Antonio Konte njihet si një nga trajnerët më emocionalë të futbollit europian dhe botëror, dhe ja ku i ndodhi një tjetër konflikt që përfundoi me divorc. Italiani nuk do të jetë më trajner i Totenhemit, ndërsa klubi anglez njofton se dy palët kanë gjetur akordin për t’u ndarë miqësisht, pra për të prishur kontratën. Vetëm pak ditë më parë, Konte sulmoi publikisht në konferencë për shtyp futbollistët e tij, por edhe drejtuesit e klubit, e duket se nuk i la rrugë tjetër presidentit Daniel Levi përveçse që ta largonte. Për këtë arsye, e përditshmja spanjolle “Marka” shkruajti për Antonion: E fundit e “Mister Sherrit”!

Konte arriti vjet kualifikimin për në Champions me Spërsat, por sezoni në vazhdim ka rezultuar tepër i vështirë. Londinezët janë jashtë zonës Champions në Premier Ligë, ndërsa u eliminuan në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, pas rezultateve 0-1 e 0-0 ndaj Milanit. Goditja tjetër e rëndë ishte eliminimi i papritur dhe thuajse i turpshëm nga Kupa e Anglisë, prej ekipit të kategorive të ulëta, Shefild Junajtid. Pritet që Konte të kthehet në Itali, ndërsa mendohet se Interi apo Juventusi e kanë në planet e tyre.

Sfidanti.al