Karlos Bilardo ishte me të vërtetë si një baba për të, por si një baba i një djali rebel, që nuk donte as edhe një qime floku mbi kokën e tij. Gjithsesi, trajneri i Argjentinës së vitit 1986, që doli kampion bote bashkë me Maradonën, e deshi ish-lojtarin e tij, edhe në momentet e përplasjeve më të forta. Vëllai i Karlosit, Horge, tregon se në momentin që po jepej në televizion lajmi i vdekjes së Maradonës, ata e fikën menjëherë aparatin e televizorit, që ai të mos e merrte vesh, të paktën jo në atë moment.
“Do të bëhej shumë keq, – tha Horge, – sepse Diegon e kishte si djalin që nuk e pati kurrë”. Shumë pak e dinë se ishte Bilardo që e ktheu në rrugë të mbarë Maradonën në 1986 përpara Botërorit, pas një bisede me të në Napoli, ku i deklaroi në mënyrë profetike se “ky është Botërori yt, stërvitu të paktën disa muaj siç duhet, sepse do të dalësh kampion i botës, me jetën që bën nuk do të kesh rast tjetër”. Diego e dëgjoi, Bilardo e bëri kapiten të Argjentinës, dhe fituan Botërorin, ku Maradona ishte lojtari më i madh që ka luajtur ndonjëherë në një Kupë Bote. Shënoi 5 gola, një me dorë dhe më të bukurin e botërorëve në një ndeshje, atë ndaj Anglisë.
Sfidanti.al