Kur është në formën më të mirë, vështirë se ka skuadër që ta ndalë. Vetëm të tillë si Reali, Barcelona apo Bajerni mund të mposhtin një Mançester Siti në kulmin e lojës spektakolare të Pep Guardiolës. “Qytetarët” më në fund patën një futboll të tillë, në përballjen e Kupës së Anglisë, edhe pse luajtën në stadiumin “London Stejdium” kundër vendasve të Uest Hemit.
Skuadra mike shënoi pesë gola dhe nuk pësoi asnjë duke u kualifikuar pa problem për më tej. Jaja Ture me penallti, pastaj autogol i Havard Nortvajtit, dhe më tej David Silva, Sergio Aguero dhe Xhon Stouns. Këta ishin autorët e golave. Formacioni i trajnerit kroat, Sllaven Biliç, nuk mundi ta përballonte Sitin në asnjë repart, dhe ndoshta po ndjen faktin që është larguar nga stadiumi tradicional “Apton Park”. Guardiola shpreson që kjo fitore t’i japë moral lojtarëve të tij për të qenë më bindës edhe në Premier Ligë.