David De Gea edhe mund ta fitojë për herë të katërt radhazi trofeun e lojtarit më të mirë të Mançester Junajtidit. Vlerat e portierit spanjoll njihen mirë, dhe nuk do të ishte aspak çudi, por numri 1 i portës ka gjetur një kundërshtar që nuk e priste, trajnerin e tij, Zhoze Murinjo. Portugezi ka deklaruar se shpreson që të mos jetë pikërisht De Gea fituesi këtë vit. “Nuk dua që De Gea të dalë lojtari ynë më i mirë, jo se nuk më pëlqen, përkundrazi, por unë mendoj se kur fiton portieri kjo do të thotë se diçka në skuadër nuk shkon siç duhet”.
“Më pëlqen që portieri të jetë më i miri, por jo për katër vjet radhazi, natyrisht e vlerësoj shumë rolin e portierit, të një djali të shkëlqyer me fanelë ndryshe nga të tjerët, por dua që futbollisti më i mirë të jetë një tjetër dhe njëkohësisht De Gea të vazhdojë të bëjë pritje të rëndësishme”, – përfundoi Murinjo. Spanjolli e ka fituar trofeun “Mat Basbi” në të tre vitet që pas tërheqjes së Sër Aleks Fergusonit.