Egnatia është kampione e Shqipërisë për të dytën herë radhazi. Rrogozhinasit kanë arritur të mposhtin me poker Vllazninë dhe të konfirmohen skuadra më e fortë e futbollit shqiptar, pasi kishin dominuar edhe 36 javët e kampionatit dhe kishin humbur Kupën e Shqipërisë vetëm nga pika e bardhë e penalltive.
Skuadra e Edlir Tetovës edhe njëherë nuk doli nga mënyra e saj e lojës, duke e mbajtur topin më shumë se kundërshtari dhe duke u treguar më efikasë, madje “vrastarë”. Por si ishte e ndërtuar “makineria” që Edlir Tetova kishte në drejtim?
MBROJTJA – Kampionatet i fiton mbrojtja dhe kjo konfirmohet edhe një herë tjetër. Egnatia këtë vit arriti të rreshtonte një mbrojtje “çeliku”, më të mirën në shifra dhe në paraqitje. Gardiani Dajsinani ishte pakalueshëm që nga janari, kur mbërriti, teksa para tij kishte “shkëmbinj” të pakalueshëm si Xhemajli, Sota, Dylis në qendër e Alijev, Fangaj e Ndreca në krahë, që përveç mbrojtjes, ishin të frikshëm në “erozionet” që bënin në krahë.
REPARTI PERFEKT – Mesfusha e ngriti Egnatian në një nivel krejt tjetër, padyshim një nga më të mirat që ka luajtur në Superiore në këtë sezon dhe jo vetëm. Regi Lushkja u shndërrua në një “monstër” që nuk kursente asnjë kundërshtar dhe në fund e ndali bilancin në 16 gola, shifrat më të mira në karrierë, që të kujtojnë emra të mëdhenj në të shkuarën. Kishte kohë pa shënuar dhe mesa duket i kishte ruajtur për dje. Krah tij ishte një personazh si Serxho Ujka, i ardhur në janar, duke ndikuar direkt në efikasitetin e lojës dhe fantazinë e manovrës së Tetovës. Nuk mund të harrojmë Aleksin. Lider, cinik dhe “çelës” në të dyja fazat e lojës. Për nivelin e Superiores është “profesor”. Zejnullai ishte një tjetër futbollist, i cili mbajti peshë të jashtëzakonshme, madje iu desh edhe të sakrifikohej si sulmues anësor, por nuk u ankua, madje ia doli mirë.
sfidanti.al