Inzagi bëhet gati t’i japë lamtumirën Arabisë Saudite

Simone Inzaghi u largua një vit më parë nga Interi, me idenë e qartë se cikli i tij te zikaltrit kishte përfunduar. Ai nuk zgjodhi një kampionat tjetër në Europë, edhe pse ofertat nuk mungonin, por vendosi t’i shkonte pas milionave në Arabinë Saudite. Trajneri italian firmosi me Al Hilal, me një rrogë marramendëse prej 26 milionë eurosh në sezon. Por duket se menjëherë pas vitit të parë me klubin saudit, ai do ta mbyllë eksperiencën atje.

Sipas mediave italiane, pas ndeshjes së fundit të kampionatit, që do të dekretojë titullin kampion të rivalëve të Al Nasr, Inzagi do të ndajë rrugët me klubin saudit duke hequr dorë nga rroga e sezonit të dytë për të cilin ka nënshkruar atje. Fakti që nuk ia doli të triumfonte në Arabi edhe pse u bënë shpenzime të çmendura për afrimet në skuadër, apo edhe ndërrimi i pronarëve të Al Hilal që duan të “shtrëngojnë rripin” sa u përket shpenzimeve, ka bërë që Inzagi të marrë këtë vendim. Nuk dihet ende nëse ai do të kthehet menjëherë në futbollin europian apo të qëndrojë pushim. Por që nga vera e këtij viti, edhe Inzagi do të jetë përsëri në “treg” si një opsion për t’u kthyer në futbollin e rëndësishëm.

sfidanti.al