Në një kohë që shpenzohen para për futbollistë të lloj-lloj ngjyrave, të mbërritur nga kudo, si dhe trajner të huaj, futbolli ynë ka problem imediat mungesën e infrastrukturës. Disa skuadra nuk kanë fusha të përshtatshme për seancat stërvitore, madje as stadiume në qytetet e tyre, ndërkohë që investojnë për objektiva të palogjikshme. Luftëtari dhe Korabi nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje në këtë sezon përpara publikut gjirokastrit, apo dibran, ndërkohë që kanë qenë nga klubet më aktive në merkaton e verës.
Ndërkohë Lushnja e tanishme është një nga kandidatet kryesore për t’u rikthyer në Superiore, por aq shumë e ka përdorur infrasrukturët e tanishme, të ndërtuar prej dekadash, saqë e ka kthyer në moçal. Ndërkohë që Bashkia e qytetit ka hartuar një projekt, i cili quhet “Lushnja Sport Center” dhe kushton gati 600 milionë lekë (të vjetra), që së fundi është miratuar nga Ministria e Zhvillimit Urban. Sipas projektit (në foto), do të ketë ambjente jo vetëm për futbollin, por edhe sportet e tjera dhe nuk do të jetë në shërbim vetëm të ekipit të parë, por të të gjithë moshave.