“Luanët nuk rikuperojnë si njerëzit”. Kjo ishte përgjigja e Zllatan Ibrahimoviçit, në intervistën pas ndeshjes Mançester Junajtid-Njukasëll. Suedezi 36-vjeçar pati kthimin në fushë që pas dëmtimit të muajit prill, dhe u tregua shumë optimist. “Unë jam ende në formën time më të mirë, – tha ai, – ishte diçka e veçantë, speciale. Një ditë e ndryshme, por cilësia mbetet e njëjta. Unë nuk e vras mendjen fare sesi do të jetë e ardhmja, luanët nuk riaftësohen si njerëzit”.
Publiku në “Old Traford” e priti me një brohoritje të madhe hyrjen në fushë të Ibrës në minutën e 77-të duke zëvendësuar Antoni Marsialin. Junajtid kryesonte 4-1 dhe ndikimi i suedezo-boshnjakut në lojë ishte minimal, por rëndësi pati rikthimi, i cili ishte më përpara sesa mendohej. Shumëkush gjykonte se Ibra do të rifillonte karrierën në janar 2018.
Sfidanti.al