Liverpuli po mbyll triumfalisht “karantinën” pa Salahun dhe Manenë!

Dy fitore në dy ndeshje në kampionat, kualifikim në Kupën e Ligës (Karabao) ndaj Arsenalit, dhe dy kualifikime radhazi në Kupën e Anglisë. Nuk kishte sesi shkonte më mirë se kaq “karantina” e Liverpulit pa Mohamed Salahun e Sadio Manenë, që ishin të angazhuar në Kupën e Kombeve të Afrikës që nga 3 janari deri mbrëmjen e djeshme. Në 6 ndeshje, të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop arritën 5 fitore e 1 barazim, me golaverazhin 15-3. Më mirë se kaq nuk mund të bëhet dhe shpresa është që Salah e Mane të kthehen sa më shpejt, por nuk pritet që të jenë në mesjavë, në 10 shkurt për duelin në “Anfild” ndaj Leisterit në Premier Ligë. Kjo sepse mbrëmë luajtën finalen e Kupës së Afrikës, mes Senegalit dhe Egjiptit, që shkoi përtej 90 minutave.

Ndaj Kardifit në Kupën e Anglisë pati disa emra të njohur si Van Dajk, Aleksandër-Arnold, Henderson, Firmino apo Diogo Zhota, ndërsa pas pushimit u aktivizuan Robertson apo Tiago, si dhe blerja e re Luis Diaz i ardhur nga Porto. Golat u shënuan nga Zhota, Minamino dhe 18-vjeçari Harvei Eliot, ndonëse miqtë nga kategoria e dytë pretenduan për një penallti dhe për një të kuq për portierin vendas, Kelleher. “Jam i lumtur për ekipin dhe për fitoren, – tha Klopi, – Eliot është një talent i madh. Sa për Luis Diazin, ai nuk ka ndonjë dëmtim kushedi. i them “mirë se erdhe në Angli”. i tillë është futbolli këtu”.

Sfidanti.al